Monday, August 1, 2011

4500 vende mbesin bosh ne universitetet publike !

Plot 4 500 vende duket se janë të sigurta që do të mbeten të lira në universitetet publike të vendit, pas fazës së regjistrimit paraprak. Këto kuota vakante do të krijohen nga maturantët që kanë aplikuar për të vijuar studimet e larta jashtë Shqipërisë, që sipas Agjencisë Kombëtare të Pranimeve janë 4 500. Këta të rinj shpallen në listat e fituesve të universiteteve për procedurë, që t’u verifikojnë universiteteve të huaja se i janë nënshtruar provimeve të Maturës në vendin tonë, dhe se kanë rezultuar fitues.
Ndaj të gjithë këta të rinj, pas daljes së listës paraprake të fituesve, do të nisin rrugën e studimeve për jashtë vendit, duke i lënë shansin bashkëmoshatarëve që të plotësojnë vendet e tyre. Në fakt kjo është edhe një nga arsyet pse regjistrimet në universitete bëhen me dy faza. Gjatë fazës së parë, shumë maturantë të regjistruar në universitetet publike, të shpallur fitues në listat paraprake, vendosin të konkurrojnë për studime jashtë vendit dhe largohen.
Kandidatë të tjerë të regjistruar po në universitetet publike të vendit vendosin të ndjekin studime në universitete private. Kandidatë të tjerë nuk dëshirojnë më të vazhdojnë studimet e larta. Të gjithë këta kandidatë lënë kuota vakante (vende bosh) që plotësohen nga kandidatë të tjerë. Pikërisht për të marrë këtë informacion dhe për të evituar bllokimin e kuotave kërkohet regjistrimi paraprak. Pas marrjes së këtij informacioni hiqen nga lista të gjithë kandidatët që nuk do të figurojnë të regjistruar paraprakisht brenda afatit kohor të përcaktuar. Vitin e kaluar, lista e kandidatëve fitues të regjistrimit përfundimtar tregoi se të gjithë kandidatët që kishin fituar në preferencën e tyre të parë, mbeten po aty fitues. Pra, sipas parimit Meritë-Preferencë, asnjë kandidat nuk zbret në preferencë.
Po ashtu, shumica e fituesve në preferenca të tjera, mbetën fitues në po ato preferenca ku ishin shpallur fitues në regjistrimin paraprak, ndërsa një pjesë e fituesve, në sajë të vendeve bosh nga mosregjistrimi në fazën e parë, u ngjitën në preferencë. Për shembull, nëse në regjistrimin paraprak ishin shpallur fitues në degën e shtatë, u ngjitën në preferencën e gjashtë apo të pestë. Madje, një vit më parë pati nga ata kandidatë që nuk ishin shpallur fitues në regjistrimin paraprak dhe u shpallën fitues në regjistrimin përfundimtar, falë vendeve bosh të lëna nga regjistrimi paraprak.

No comments:

Post a Comment