Tuesday, August 9, 2011

Ministria e Arsimit dhe Shkencave paraqet udhezimet e reja per shkollat !


Viti i ri arsimor 2011 – 2012, pervec ndryshimeve ne tekstet shkollore udhezimi i ri MASH ka parashikuar se per datat e fillimit të mësimit për çdo semestër, datat e pushimeve dhe ambientet ku do të zhvillohen provimet e maturës do të jenë krejtësisht të ndryshme nga ato të viteve të kaluara.
Konkretisht, sqarohet se shkollat 9-vjeçare dhe ato të mesme do të hapin zyrtarisht dyert për nxënësit më datë 12 shtator. “Për klasat I-IX, semestri i parë fillon më 12 shtator 2011 dhe mbaron më 27 janar 2012, ndërsa semestri i dytë fillon më 30 janar 2012 dhe mbaron më 6 qershor. Për sa i përket pushimeve, periudha e parë e tyre fillon më 24 dhjetor 2011 dhe mbaron më 4 janar 2012. Periudha e dytë më 28 mars 2012 dhe përfundon më 1 prill 2012”, citohet në udhëzimin e MASH.
Ndër të tjera, shpjegohen edhe programet e tekstet mësimore që do të përfshihen në arsimin parashkollor dhe në arsimin bazë. Konkretisht në klasën e nëntë do të zhvillohet moduli “Edukimi për karrierën”, për t’u lehtësuar nxënësve orientimin e tyre për vijimin e arsimit të mesëm, ndërsa në arsimin e mesëm, ku përfshihet gjimnazi me kohë të plotë, thuhet se drejtoritë arsimore rajonale dhe drejtuesit e gjimnazeve duhet të kërkojnë zbatimin me rigorozitet të kurrikulës së re në klasën e XII, pa hequr vëmendjen nga kurrikula e klasës X dhe XI.
Sipas udhëzimit, te gjimnazet me orientim gjuhësor që ndodhen në qytetet e mëdha të vendit dhe në Tiranë, klasat X, XI dhe XII duhet të punojnë me programet e reja të miratuara nga MASH.
Në lidhje me gjuhët e huaja në sistemin parauniversitar, Ministria e Arsimit udhëzon marrjen e masave për mbulimin, me çdo kusht të gjuhëve të huaja në shkollat e arsimit bazë dhe të arsimit të mesëm që nuk kanë zhvilluar gjuhë të huaj deri në vitin e kaluar shkollor. Një tjetër pikë e rëndësishme në udhëzim është edhe shërbimi psikologjik shkollor.
Kjo do të thotë që, bazuar në udhëzimin nr. 18, datë 21.04.2008 “Për funksionimin e shërbimit psikologjik shkollor në arsimin parauniversitar”, çdo DAR duhet të ketë zëvendësuar të gjithë psikologët që nuk kanë arsimin përkatës, të sigurojnë kabinetin e shërbimit psikologjik, të ngrejë në çdo shkollë grupin e mbështetjes së psikologut dhe të realizojë raportin e veprimtarisë së ushtruar në këtë shërbim gjatë një viti.

No comments:

Post a Comment