Tuesday, August 23, 2011

Nis projekti 50 milion eurosh per permiresimin e sigurise se digave ne hidrocentrale !


Ka nisur nga implementimi projekti prej 50 mln euro për sigurinë e digave mbi Drin. Burimet zyrtare në KESH pohuan se objektivat kryesorë të projektit në fjalë janë: rritja e sigurisë së digave të hidrocentraleve më të mëdha të Sistemit Elektroenergjetik Shqiptar në kaskadat e lumenjve Drin dhe Mat dhe të gjitha veprave hidroteknike të tyre; rritja e sigurisë dhe cilësisë së furnizimit me energji elektrike, nëpërmjet rritjes dhe përmirësimit të eficencës së prodhimit të energjisë elektrike nga burimet hidrike, duke ndikuar në këtë mënyrë edhe në rritjen e qëndrueshme të sigurisë së furnizimit me energji elektrike në tregun rajonal të energjisë.
“Studimi mbi Sigurinë e Digave të hidrocentraleve të kaskadave të lumenjve Drin dhe Mat, i financuar në vitin 2006 nga qeveria zvicerane e përfaqësuar nga Sekretariati i Shtetit për Çështjet Ekonomike-SECO dhe më pas studimi i fizibilitetit, i financuar përsëri nga SECO, shërbyen si bazë për përgatitjen e Projektit për implementimin e të gjitha investimeve të parashikuara në kuadrin e projektit të sigurisë së Digave.
Investimet e identifikuara nga ky studim mund të përmblidhen në: rehabilitimin e veprave shkarkuese, instalimin e sistemeve të reja të kontrollit dhe monitorimit të digave, instalimin e sistemeve të alarmit, mbrojtjen nga rreziku i rënies së shkëmbinjve rreth shpateve të digave, përmirësimin dhe garantimin e rrugëve hyrëse në godinat e centraleve, digave dhe galerive të dranazhit, studimet batimetrike të baseneve, rishikimin e hidrologjisë së kaskadave të lumenjve Drin dhe Mat, punimet në bjefet e poshtme të këtyre hidrocentraleve me qëllim eliminimin e sedimenteve të ngurta dhe rritjen e sigurisë së veprave hidroteknike.
Implementimi i tyre, sipas KESh-it, do të bëjnë të mundur rritjen e cilësisë së monitorimit të këtyre digave, duke garantuar sigurinë e tyre sipas normave ndërkombëtare të sigurisë si edhe mbrojtjen e tyre nga një numër rreziqesh natyrore, të tilla si: rënia e shkëmbinjve, shkarjet pranë vendndodhjes së themeleve, përmbytjet, tërmetet etj.; dukuri këto që kërcënojnë sigurinë e digave.

No comments:

Post a Comment